Vous souhaitez réagir à ce message ? Créez un compte en quelques clics ou connectez-vous pour continuer.

LETRA E KADARESË DHE REAGIMI I BASHËS

 :: sport

Aller en bas

LETRA E KADARESË DHE REAGIMI I BASHËS Empty LETRA E KADARESË DHE REAGIMI I BASHËS

Message  Perparimi Dim 22 Mai - 16:21

LETRA E KADARESË DHE REAGIMI I BASHËS

Në vazhdim sjellim letrën e shkrimtarit Ismail Kadare për Luzim Bashën, ku kërkohet tërheqja e Bashës ne emër të interesave të kombit. Po ashtu, sjellim edhe përgjigjen e kandidatit Luzim Basha....
Postuar: 12:41:54 / 22.05.2011
Letra e Kadaresë

Zoti Lulzim Basha,
I shqetësuar seriozisht, si shumica e shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit, po ju dërgoj këtë letër të hapur, me shpresë se ndoshta mund të ndihmojë në zgjidhjen e kolapsit të papritur në të cilin është gjendur jo vetëm shteti, por gjithë kombi shqiptar.
S’është nevoja të zgjatem këtu për pasojat e rënda të këtij kolapsi, që nis prej tronditjes së demokracisë dhe kalendarit të jetës së brendshme, gjer te rreziku i izolimit të ri të vendit, çka do të ishte fatale sot për të dy shtetet shqiptarë në Ballkan.
Nisur nga kjo, shpresoj se do ta kuptoni drejt mesazhin tim, i cili nga këndvështrimi i klasës politike shqiptare mund të duket i gabuar politikisht, strategjikisht, taktikisht etj.,etj. por nga një tjetër pikpamje, nga interesat e larta tê vendit, të republikës dhe të kombit do të ishte i drejtë dhe i saktë.
Si politikan dhe si zyrtar ju jeni gjendur kohët e fundit, në qendër të një cikloni, i cili jo vetëm mund t’ia mbyllë rrugën përparimit të kombit shqiptar, por ta kthejë atë shumë vite prapa në histori. S’është nevoja këtu t’ju kujtoj se sa e pandreqshme dhe e pafalshme do të jetë kjo mbrapështi.
Nisur nga kjo, në kushtet e një fitimi ose të një humbjeje fare të paqartë, do t’ju propozoja një gjest , që, sot për sot është i rrallë, gati i përjashtuar nga jeta politike shqiptare : tërheqjen nga kandidimi për kryetar bashkie.
Nuk e kam vështirë të marr me mend , në këtë rast, reagimet e militantëve të krahut tuaj politik. E bashkë me të, hamendjet, dyshimet e gjithë britmat rituale. Do t’ju thoshja se prej kohësh ato s’më bëjnë asnjë pêrshtypje. Ndërkaq, meqenëse kanë lidhje me një pjesë të popullit shqiptar, do të doja t’ju jepja thelbin e mesazhit tim : Me këtë propozim, pavarësisht se si do ta kuptoni, unë ju nderoj.
Që të jem i saktë gjer në fund, do të shtoja se kjo nuk është çështje preference për ju, çështje afërsije etj. Dhe aq më pak nuk është sfidë ndaj kundërshtarit tuaj politik. Propozimi për tërheqje mund t’ia bëja secilit prej jush , por mendova se tërheqja do të ishte më e lehtë për ju që jeni në pushtet, sesa për tjetrin , që është shef i opozitës.
Prej kohësh jam i paanshëm dhe ky qëndrim më shumê se ndonjë meritë apo mosmeritë e imja, ka të bëjë me profesionin tim. Për shkrimtarin gjithë bashkëkombasit janë, në radhë të parë, lexuesit e tij, ndaj ai e ka vështirë të jetë me njerën gjysmë kundër tjetrës. Ky vizion dikujt mund t’i dukej egocentrizëm prej shkrimtari, por nëse kjo do të gjykohej e fajshme, do ta pranoja këtë faj apo këtë cen gjenetik.
Duke ju propozuar tërheqjen prej kandidimit, desha t’ju kujtoj se gjeste te tilla janë të njohura në historinë e pjesës më të emancipuar të njerëzimit. Janë të njohura dhe te çmuara si gjeste të mëdha tërheqja nga një këmbëngulje, nga një post, nga një dyluftim, madje nga një fron, nëse këmbëngulja , posti, dyluftimi apo froni shkaktojnë fatkeqësi. Desha t’ju kujtoja se themeluesi i shtetit shqiptar, I.Qemali, më 1912 , ka qenë njëkohësisht themeluesi i dorëheqjes shqiptare, kur me gjestin e tij madhështor, pas kërkesës së fuqive europiane, u tërhoq nga posti i vet, për të mirën e Shqipërisë.
Mendoj se Shqipëria nuk duhet t’i harrojë këto shenja të mëdha të qytetërimit të saj. Ajo duhet t’i kultivojë ato, të tregojë se nuk është një shtet tribal, por shtet europian demokratik, pjesë e familjes më të emancipuar të kombeve. Ajo duhet të tregojë se është në gjendje, se mundet, se duhet te jetë anëtare e denjë e familjes.
Gjesti i juaj do të jetë një mesazh emancipimi dhe shprese për brezin e ri shqiptar, duke pêrfshirë edhe atë të politikanëve. Cdo gjest i tillë, përpara se tê nderojë një politikan, një krah apo një stinë të politikës, na nderon të gjithëve.
Jemi mësuar me shprehjen « turp i përbashkët », që mirë a keq, e kemi pêrjetuar gjatë shumê viteve, por rrallë herë me shprehjen tjetër : « nder i pêrbashkët ».
Le të shpresojmë se do të vijë edhe koha e saj.

Miqësisht, me shpresë,
Ismail Kadare, shkrimtar
Paris, 21 maj 2011




Letra e Bashës


I nderuar Zoti Kadare,
Lexova me vëmendje letrën tuaj dhe ju falenderoj për shqetësimin që shprehni në lidhje me të ardhmen europiane të Shqipërisë. Ky shqetësim i përbashkët duhet të na preokupojë të gjithëve. Ndaj përfitoj nga kjo mundësi të paraqes këndvështrimin tim mbi faktet.
Në këto zgjedhje kanë votuar më shumë qytetarë të Tiranës se asnjëherë tjetër në historinë e saj. Votuesit e kanë shprehur tashmë vullnetin e tyre dhe institucionet përkatëse janë duke bërë ndërkohë numërimin e votës. Qytetarët kanë vendosur se kush e ka fituar këtë garë dhe se kush do të vijojë të administrojë qytetin.
Unë kam vendosur të respektoj të gjitha procedurat normative që parashikon proçesi i numërimit të votës në respekt të shtetit ligjor duke frymëzuar një qëndrim paqësor qytetar dhe në shërbim të stabilitetit e paqes sociale.
E gjithë filozofia e fushatës sime është mbështetur në dëgjimin dhe dialogun e drejtpërdrejtë me qytetarët. Ndaj sot e kam të pamundur të mbys zërin e mbi 124 mijë qytetarëve të cilët i janë përgjigjur pozitivisht planit dhe projektit tim për shndërrimin rrënjësor të kryeqytetit të shqiptarëve, që mjerisht po përjeton një kolaps urban, mjedisor dhe mund të themi ekzistencial. Nuk jam unë ai që vendos nëse do të bëhem apo jo kryetari i ardhshëm i Bashkisë. Ky është vendimi i votuesve dhe unë nuk kam asnjë të drejtë, që në asnjë rrethanë të braktis zgjedhjen që ata kanë bërë.
Unë besoj se gara dhe demokracia i vlejnë të ardhmes europiane të Shqipërisë. Ndërkohë që dhurimi në tavolinë ose pazaret në favorin tim apo të kundërshtarit, e dëmtojnë atë. Më mirë një garë deri në votën e fundit sesa një garë e munguar.
Duke u tërhequr, unë fyej votuesit, komisionerët, ligjvënësit, ligjet, gjykatat dhe vetë demokracinë. Me tërheqjen për shkak të presioneve politike, i bie të mos bëhen më zgjedhje në Shqipëri. Vërtet mund të shpresohet të kalohet më lehtë një sfidë imediate, por me çmimin e madh të rënies së demokracisë. Sistemi ynë demokratik është më mirë të përballojë sfida të vështira sesa të shpallë se përfundimisht nuk bën dot zgjedhje.
Unë nuk mendoj se instalimi i një pushteti që do mbante peng kryeqytetin në kundërshtim me vullnetin e zgjedhësve është më europian dhe demokratik sesa rotacioni politik që është baza e çdo demokracie.
Çdo terheqje e imja në këto kushte jo vetëm do të ishte një akt anti-demokratik, por besoj se nuk do të pranohej as nga rivali im për Bashkinë e Tiranës sepse për pasojë edhe legjitimiteti i vijimit të kryetarit aktual të Bashkisë do të ishte i kompromentuar.
Jam i bindur se rrethimi i institucioneve, kërcënimet me djegje dhe kryengritje apo pushteti i rrugës nuk janë më të pranueshme sesa votimi i lirë, numërimi i votës së vlefshme dhe vendimet e institucioneve.
Unë respektoj vullnetin e të gjithë atyre që kanë votuar pro meje, që kanë votuar për një ndryshim në Tiranë, si edhe ata që kanë votuar kundër, duke lexuar dhe respektuar çdo votë të tyre, respektoj ata që po presin me qytetari, pa dhunë, pa presion, si qytetarë të vërtetë europianë.
Jam i gatshëm të takohem para publikut dhe mediave, kudo dhe kurdo me rivalin tim për Bashkinë e Tiranës për një pakt moral dhe qytetar për respektimin e ligjit, për të pritur me qetësi vendimin e institucioneve, për t''''i dhënë fund gjuhës së dhunës dhe për të pranuar verdiktin e qytetarëve të shprehur me votë.

Me respekt,
Lulzim Basha

Perparimi
Admin

Numri i postimeve : 17280
Registration date : 30/04/2006

https://diskutime-shqiptare.albanianforum.net

Revenir en haut Aller en bas

Revenir en haut

- Sujets similaires

 :: sport

 
Permission de ce forum:
Vous ne pouvez pas répondre aux sujets dans ce forum