Vous souhaitez réagir à ce message ? Créez un compte en quelques clics ou connectez-vous pour continuer.

Begzad Baliu flet per preardhjen e shqiptareve

 :: sport

Aller en bas

Begzad Baliu flet per preardhjen e shqiptareve Empty Begzad Baliu flet per preardhjen e shqiptareve

Message  Perparimi Mer 6 Fév - 3:07

Begzad Baliu flet per preardhjen e shqiptareve Image004Baliu: Le të shkojmë me radhë. Së pari, koncepti i Hahnit për prejardhjen pellazgjike të popullit shqiptar dhe e një lagjeje gjuhëtarësh arbëreshë (kryesisht rilindës), nuk ka të bëjë me konceptin e disa ‘studiuesve’ shqiptarë të kohës sonë për gjuhën shqipe si nënë e gjuhëve të botës! Dija e romantikëve tanë shkonte deri aty ku kishte arritur dija e shkollës historike evropiane dhe ishte transformuar në hap me të. Jeronim de Rada dhe Naim Frashëri ashtu si edhe Hahni besonin në tezën e kohës për prejardhjen pellazgjike të popullit shqiptar, por kur themeluesi i albanologjisë shkencore Gustav Majeri erdhi në përfundimet e tij për prejardhjen ilire të popullit shqiptar Ndre Mjeda e përkrahu atë në të njëjtën kohë. Tjetër është diskutimi për prejardhjen trake apo trako-ilire të një shtrese të toponimisë, që ishte dhe mbetet e diskutueshme edhe sot.

Po të bëhej një prerje e hipotezave për prejardhjen e popullit shqiptar e të gjuhës shqipe, atëherë të gjitha këto do të ndaheshin në disa grupe: hipoteza pellazgjike (Hahni); hipoteza trake (H. Hirt, K. Pauli, Henrik Bariq dhe sidomos Gustav Vajgandi, i cili është autor i traktatit të saj); hipoteza iliro-trake (Norbert Jokli, Karl Paç) dhe hipoteza dako-mize (Vladimir Georgiev). Një hipotezë interesante është edhe ajo e Benvenistes dhe e Hampit: ‘shqipja, as ilirishte as trakishte por një protoshqipe-albanoid’.

Edhe njëri prej ndërtuesve më gjigant të hipotezës ilire të prejardhjes së popullit shqiptar e të gjuhës shqipe Eqrem Çabej, në korpusin e madh të “Studimeve etimologjike në fushë të shqipes”, periudhave të lashta të shqipes iu referohet si “perioda historike” deri në indoevropianishte.

Përgjithësisht diskutimi për prejardhjen pellazgjike të popullit shqiptar në shkencën e albanologjisë vendore ka përfunduar në gjysmën e parë të shekullit XX, me veprën e Profesor Çabejt “Elementet e gjuhësisë e të literaturës shqipe» (1936), kur ka theksuar nevojën e mënjanimit të teorisë pellazgjike. Një përpjekje për ta rikthyer tezën pellazgjike, madje në rrugë politike është bërë në fillim të viteve ’60, kur Spiro Kondo botoi veprën “Shqiptarët dhe problemi pellazgjik”, por ishte merita e Profesor Eqrem Çabejt dhe e Profesor Selman Rizës, të cilët patën guximin intelektual dhe shkencor për të kundërshtuar recensimin e saj: i pari duke e heshtur, ndërsa i dyti duke iu përgjigjur me një recension të rreptë shkencor, çfarë dinte t’i bënte vetëm penda e Profesor Rizës. Kujtoj se kjo ishte sprova e fundit për institucionalizimin e këtyre koncepteve përmes linjës politike. Përpjekjet e sotme ala Katapano dhe ato të Nermin Vlora Falaçit nuk mund të diskutohen as në kontekstin e djeshëm dhe të sotshëm shkencor të zhvillimeve albanologjike. Prandaj nuk mund të flitet për kurrfarë rrëzimesh të tezave të Profesor Çabejt, të cilat njëkohësisht janë edhe teza të albanologjisë.

Epoka e re: Si të shpjegohet vërshimi i shkrimeve të kësaj natyre?

Baliu: Pellazgët janë një mit si të gjitha mitet. Në fund të shekullit XX, ashtu si edhe një shekull më parë, shqiptarët u gjetën në situata të vështira ekzistenciale. Si në rastin e parë ashtu edhe në të dytin shqiptarët kishin nevojë për mitin e origjinës, për mitin e Pirros, Mbretëreshës Teutë apo për mitin e Skënderbeut, dhe është mirë që janë gjetur shkrimtarë e publicistë e madje edhe politikanë, të cilët kanë sforcuar shpirtin e shoqërisë shqiptare qoftë edhe përmes kultit të origjinës, gjuhës, moralit, besës, etj., të këtij populli që nuk arrinte t’i plotësojë dot nevojat jetësore për gjërat elementare, e megjithatë nuk dëshironte të humbte krenarinë e të qenit shqiptar.

Tekstet e kësaj natyre janë shkruar në këtë kontekst, dhe nuk kanë pasur ndonjë arsye që të priten me shqetësim, por kur ato kanë pretenduar që të diskutohen edhe në konferenca shkencore atëherë kanë marrë përgjigjen e duhur. Kur të kihet parasysh se me mitet dhe kultet e kësaj natyre nuk është dhunuar në asnjë mënyrë ndjenja kombëtare, gjuhësore, kulturore, etike dhe etnografike e asnjë populli, dhe kur të kihet parasysh se këto koncepte ‘shkencore’ prezantohen dhe ‘diskutohen’ zakonisht në disa faqe interneti apo gazete lokale të diasporës, nga ‘adhurues’ të disponuar për të mbajtur të ndezur krenarinë kombëtare, deri më tash nuk ka pasur arsye të forta që të ngrihemi me ngulm kundër tyre. Pavarësisht nga kjo, tashmë që edhe faqet elektronike kanë filluar të bëhen referenca serioze të mendimit shkencor, është mirë që kohëve të fundit mendimi kritik ka zënë rrënjë edhe këtu. Mendoj se Alb-shkenca po bëhet një shembull i mirë.

Kjo stuhi, më në fund ka pasur partizanët e saj edhe tek popujt evropianë me një traditë më të madhe shkencore, dhe i ka edhe më tej tek fqinjët tanë, mitet e të cilëve kanë nxitur dhe madje prodhuar luftëra të përgjakshme.

Epoka e re: Sa i dëmtojnë mitet e shqiptarëve marrëdhëniet me fqinjët?

Baliu: Të gjithë popujt kanë nevojë që në situata të caktuara të përdorin mitet e tyre apo t’i ngrejë në kulte disa prej veçorive të tyre qofshin edhe krejt bashkëkohore. A nuk e keni vënë re mitin e papërkulshmërisë dhe kultin e krenarisë së të qenit amerikan, që ditën e 11 shtatorit. Prej kësaj logjike nuk mund të përjashtohet as populli shqiptar. Veçori e miteve shqiptare është se shqiptarët nuk kërkojnë që kufijtë e tyre të shkojnë në kufij të Ilirisë, deri te varri i Mbretëreshës Teutë, deri te beteja e fituar a e humbur e Skënderbeut etj. Nëse shqiptarët thonë se këtu ishin para serbëve, kjo nuk do të thotë se ata kërkojnë njëkohësisht edhe përjashtimin e tyre nga kjo hapësirë. Shkenca indoevropiane e ka caktuar kohën e depërtimeve sllave në Ballkan dhe albanologjia nuk ka nevojë të merret me këtë, mjafton t’i referohet asaj.

Shqiptarët, në përgjigje të miteve greke, ka disa vjet që kanë rikthyer konceptet e Falmerajerit për origjinën greke dhe kanë ngritur tezat e tyre për përkatësinë kulturore dhe gjuhësore të disa njësive leksikore dhe figurave mitike greke, mirëpo në këtë mënyrë më shumë se ndarje po krijojnë afri. Pavarësisht prej dallimeve, kultura helene dhe ilire në njërën anë dhe kultura latine e ilire në anën tjetër, kanë shumë lidhje afrie dhe interesi ynë nuk është që kjo lidhje të jetë përjashtuese (si e para apo e prejardhur), por si interferencë kohore mes gjuhëve dhe kulturave të lashta.

Ndonëse me një metodë tjetër dhe me koncepte krejt të ndryshme nga këto që kemi sot, që në kohën e Rilindjes disa studiues arbëreshë, kishin nxitur studimin e marrëdhënieve gjuhësore, kulturore dhe sidomos etnografike mes grekëve dhe shqiptarëve. Për një kohë shumë të gjatë, sigurisht si rezultat i konflikteve të krijuara pas Krizës Lindore e këndej, këto studime sikur janë lënë mënjanë. Pas më shumë se një shekull vepra e Ismail Kadaresë “Eskili ky humbës i madh” ka hapur një portë rrënjëse në studimet etnokulturore mes këtyre popujve, e cila duhet të zgjerohet dhe të thellohet me ngulm, jo për hir të letërsisë artistike greke të antikitetit, por për shkak të traditës së lashtë të pashkruar shqiptare. Nuk guxojmë t’ua lëmë vetëm grekëve atë thesar të artë, por as nuk guxojmë ta kërkojmë duke i përjashtuar ata. Ajo është tradita, shtrati i pranuar i civilizimit evropian. Grekët kanë atje gjuhën e shkruar, traditën, teatrin, etnografinë dhe kanë ruajtur në mënyrë të pandërmjetme vijimësinë e këtyre referencave, ndërsa ne kemi ruajtur me xhelozi reliktet e saj, vijimësinë etnografike dhe një ndërdije të banorëve të zonave epike (në një zonë që nuk ishte asnjëherë në kufi me grekët), disa shenja gjuhësore, kulturore dhe madje psikologjike të sjelljes. Grekët shumë kohë më parë kanë fituar qytetarinë evropiane dhe botërore të kësaj trashëgimie dhe nuk është interesi ynë të hyjmë në konflikte të tilla. Interesi ynë është që të jemi të pranishëm atje përmes elemente simbiozë të familjes indoevropiane. Rilindësit tanë kishin të drejtë. Është shumë e rëndësishme që të jemi aty, bashkë, në themelet e trashëgimisë dhe civilizimit të Evropës së Bashkuar. Jemi të vetmit popuj të Evropës Juglindore, të cilët mund të luajmë në të njëjtin teatër me shumë relikte të civilizimit antik. Unë besoj se edhe grekët janë të vetëdijshëm për këtë. Afria e tyre me serbët është e re dhe e përkohshme, ajo është pjellë e re e fundamentalizmit ortodoks. Serbët nuk kanë çka t’i ‘falin’ popullit grek, veç interesit të tyre për të depërtuar në portat e Selanikut.

Origjinën e lashtë të popullit shqiptar e të gjuhës shqipe, më në fund, nuk e dëshmojmë duke e predikuar prejardhjen e të gjitha gjuhëve të botës nga gjuha shqipe! Mjafton të dëshmojmë se një grusht fjalësh të shqipes janë të moshës së greqishtes së vjetër, se një lagje fjalësh e krishterimit të hershëm janë të latinishtes dhe se në shqipe kanë hyrë para se të hynin në sllavishte dhe në rumanishte, për të përcaktuar lashtësinë tonë në këto tërthore të moçme të Evropës Juglindore. Më në fund mjafton t’i referohemi Enciklopedisë linguistike të Kembrixhit, ku shqipja është vendosur në mesin e nëntë gjuhëve të veçanta të familjes indoevropiane dhe të mos kemi nevojë të shkojmë më larg.

Perparimi
Admin

Numri i postimeve : 17280
Registration date : 30/04/2006

https://diskutime-shqiptare.albanianforum.net

Revenir en haut Aller en bas

Revenir en haut


 :: sport

 
Permission de ce forum:
Vous ne pouvez pas répondre aux sujets dans ce forum