Vous souhaitez réagir à ce message ? Créez un compte en quelques clics ou connectez-vous pour continuer.

Hileri dhe stalini kishin admerim te perbashket

 :: sport

Aller en bas

Hileri dhe stalini kishin admerim te perbashket Empty Hileri dhe stalini kishin admerim te perbashket

Message  Perparimi Sam 15 Nov - 18:30

Kryeqyteti i rajhut gjerman po vuante nga vapa. Muret e panumërta të shtëpive berlineze e ruanin nxehtësinë tamam si furrat e ndezura. Por akoma më përvëluese se temperatura rekord e ajrit, po e nxehnin atmosferën thashethemet për një revoltë, grusht shteti dhe luftë civile, të cilat po zmadhoheshin në këtë zagushi. Fjala është për raprezaljen e përgjakshme, që ka hyrë në histori me emërtimin “Nata e thikave të gjata”, të kryer nga Hitleri (me duart e SS-ve dhe të gestapos, nën drejtimin e Himlerit dhe të Geringut) kundër bashkëpunëtorëve të tij, me shefin e shtabit të SA-ve në krye, Ernest Rëmin, që u bënë të rrezikshëm në parti dhe rivalë në luftën për pushtetin absolut të rajhut. Repartet e sulmit (SA) në shumicën e tyre shprehnin gjendjen shpirtërore të borgjezisë së vogël dhe të shtresave të degraduara të lëvizjes naziste, të cilat kërkonin realizimin e premtimeve të programuara demagogjike edhe pseudonacionaliste të fyhrerit (“të revolucionit të dytë kombëtar”), prandaj përfaqësonin një rrezik të njohur për kapitalin monopolist dhe ushtarakët, që përbënin rejhsverin (ushtrinë). Mirëpo, siç mund të gjykohet nga një sërë faktesh (veçanërisht nga nisja e uniformave kafe për pushimet verore dhe pakujdesia e komandës së SA-ve), Rëmi dhe rrethi i tij në këtë moment nuk po përgatisnin asnjë rebelim ushtarak. Në të njëjtën kohë me fyhrerët (krerët) e SA-ve u vranë edhe disa kundërshtarë politikë të Hitlerit, duke përfshirë liderin e krahut “të majtë” të krahut opozitar të NSDAP-it, Gregor Shtraser dhe ish -rejhskancelarin, gjeneralin Kurt fon Shlejher, i cili dispononte dosjen komprometuese të fyhrerit mbi sëmundjet e tij veneriane, gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore.

Hitleri, modeli i Stalinit
Diplomati i njohur sovjetik, V. Berezhkov, i cili personalisht është takuar me Hitlerin si përkthyes në bisedimet e Molotovit me liderin nazist, në nëntor të vitit 1940, duke vënë në dukje se Hitleri e quante Stalinin “personalitet të shquar historik” dhe “pa dyshim”, “udhëheqës të popujve”, gjë që ia kishte përkëdhelur sedrën ky vlerësim i lartë, të bërë nga fyhreri, dëshmon: “Edhe vetë ai prej kohësh po përgatitej të lëvdonte Hitlerin. Rivaliteti i tyre nuk e përjashtonte aspak admirimin reciprok. Kur në vitin 1934 Hitleri asgjësoi bashkëluftëtarin e vet, drejtuesin e reparteve sulmuese, Ernest Rëmin, Stalini e vlerësoi lart këtë kasaphanë të përgjakshme. Mikojani më tregoi mua se në mbledhjen e parë të Byrosë Politike, pas vrasjes së Rëmit, Stalini ishte shprehur:- A e dëgjuat se ç’ndodhi në Gjermani? Hitleri është trim i vërtetë! Ja si duhet vepruar me kundërshtarët politikë! Kjo ndodhi në verën e vitit 1934, ndërsa në dhjetor u vra bashkëpunëtori i Stalinit, Kirovi, dhe, siç jemi tashmë të informuar, fijet e këtij krimi të shpien tek “udhëheqësi i popujve”. Më pas filluan raprezaljet e egra kundër gardës leniniste me eliminimin e kuadrove më të larta të Ushtrisë së Kuqe, të specialistëve teknikë dhe të përfaqësuesve të inteligjencës. Terrori i përgjakshëm përfshiu miliona njerëz aspak fajtorë. […]. Këtu ka shumë gjëra të përbashkëta në qëndrimet midis Stalinit dhe Hitlerit. Rëmi u shpall armik, tradhtar dhe u mbulua me turp, ndërsa Romeli, të cilin Hitleri e detyroi të përfundojë në vetëvrasje, u varros me nderime. Stalini pushkatoi Buharinin, “të preferuarin e partisë” (siç shprehej Lenini), të cilin e shpalli “armik të popullit”. Ndërkohë, për shembull, mikun e vet, Serxho Orxhonjikixen, e detyroi të vrasë veten, kurse më pas mbajti një fjalim prekës para arkivolit të tij dhe urnën me pluhurin e mbajti mbi sup, ashtu siç bëri me urnën e Kirovit”. (Cituar sipas librit: Valentin Berezhkov. Si u bëra përkthyes i Stalinit. M., v. 1993, f. 13-14.) Zbuluesi sovjetik, Valter Krivicki, qysh nga fundi i viteve ‘30, në librin e vet “Unë kam qenë agjent i Stalinit” (botuar në M., v. 1996) , ka shkruar: “Si s’ka më mirë i erdhi për shtat Stalinit spastrimi i përgjakshëm natën e 30 qershorit të vitit 1934. Atij i la mbresa mënyra sesi Hitleri e ndëshkoi opozitën e vet. Ai studioi me skrupulozitet të gjitha informatat e agjentëve tanë në Gjermani, lidhur me ngjarjet e asaj nate”.

Preludi i krimit
Më 4 qershor të vitit 1934, Hitleri dhe shefi i tij i shtabit të SA-ve u takuan në kancelarinë perandorake. Biseda e tyre zgjati pesë orë dhe u zhvillua kaq me poterë, saqë, madje, edhe në dhomën e pritjes mund të dëgjohej sesi të dy miqtë ulërinin kundër njëri-tjetrit. Pas pak fjalët e ngrohta të shprehura me zë të ulët plotësuan kompromisin e arritur me zemër të ndrydhur. Agjencitë informative gjermane përhapën njoftimin se ministri perandorak pa portofol, Ernest Rëmi, njësitë e veta në përbërje të plotë do t’i niste për pushime verore. Mirëpo konflikti, që dukej se po zbutej, u ashpërsua më shumë. Cilido që pati mundësi, ia mbathi nga kryeqyteti i rajhut, për t’ju fshehur fantazmës së sulmuesve të rebeluar dhe plaçkitës. Dashamirësit paralajmëruan, madje, edhe vetë Rëmin, mirëpo ai u tregua tepër mendjemadh dhe nuk reagoi lidhur me këtë situatë. Bisedimet e papërfunduara lidhur me vrasjet midis xhentëlmenëve dhe xhelatëve, vazhdonin. Rëmi synonte për një betejë të hapur, kurse armiqtë e tij – Geringu, Hessi, Himleri dhe shefi i Shërbimit të Sigurimit të partisë naziste (SD), Rajnhard Hejndrih të vrisnin pas shpine. Nga bashibozuku i vjetër Rëm, që sadoqë ta mohoje, ishte kreu i mëse tre milionë uniformash kafe, mund të prisje që së bashku me një bërthamë të fuqishme të uniformave të tij, ai mund të fshinte tërë huntën e esesve. Tanimë fyhrerit (udhëheqësit) pa ndërprerje i vinin paralajmërime nga Himleri mbi kryengritjen e shpejtë të uniformave kafe. Megjithë këto “profeci të Kasandrës”, Hitleri, ka të ngjarë, që vetëm për dukje dha përshtypjen e njeriut të paralizuar dhe pa aftësi vepruese, ndonëse, siç do ta pohonte më vonë me pompozitet, prej kohësh i vinin “të dhëna mbi përgatitjet për asgjësimit e personit të tij”. Megjithatë, Rëmi asnjëherë nuk i kurseu tiradat e kërcënimit. Ky tip nuk i trembej askujt, madje as Hitlerit. Për të treguar forcën e vet ai edhe një herë urdhëroi 80 mijë unifomat kafe që të marshonin në formacion luftarak nëpër aerodromin “Tempelgof”, duke thirrur kërcënueshëm: “SA-të janë dhe do të mbeten fati i Gjermanisë!”.

Prapaskena
Në prapaskenë filloi të flitej për vrasjen masive të uniformave kafe. Ushtria, e cila në dukje qëndronte jashtë intrigave, e mbështeste këtë gjë: Rëmi duhej përmbysur, por vetë ajo nuk donte të ndynte duart me gjak. Pa asnjë shpjegim ushtarëve ua anuluan lejet. Fill pas këtij hapi fshehurazi ushtria u kalua në gatishmëri luftarake. Njësitë SS gjithashtu u bënë gati për marshim. Gjeneralët e ushtrisë, pa rënë në sy, përhapën lajmin shpresëdhënës se njerëzit me emblemën e “Kokës së vdekur” do të kalonin në anën e tyre, nëse do të kishte përleshje, prandaj ishin pajisur me armë dhe mjete transporti. Më 26 qershor, me një paralajmërim të turbullt në adresë të disa forcave, pa i përmendur me emër, u shfaq Rudolf Hesi, zëvendës i fyhrerit në parti. Të nesërmen Geringu bëri kërcënimin: “Cilido që do të keqpërdorë besimin e fyhrerit, do ta paguajë me kokë!” Në mbrëmje Hitleri telefonoi dhe kërkoi të bisedonte me Rëmin. Biseda zgjati disa minuta dhe shefi i shtabit të SA-ve iu kthye shokëve të rakisë tepër i kënaqur, duke i njoftuar: “Hitleri do të jetë nesër në Viszee, në orën 11 paradite, për të marrë pjesë personalisht në mbledhje. Fill pas kësaj Hitleri mori nga Berlini sinjalin e alarmit: rejhsfyhreri SS(Himmleri), gjoja, ishte informuar se SA-të po përgatiteshin që të nesërmen të sulmonin rajonin qeveritar të kryeqytetit perandorak për ta pushtuar atë. Njoftimi ishte i rremë dhe, kishte të ngjarë, të ishte porositur nga Hitleri, sepse më vonë ai do të pohonte se “pikërisht tashmë ishte marrë vendimi “për të çrrënjosur vatrat tona të brendshme e të helmatisura”.

Një masakër që filloi si parodi
Në agim të 30 qershorit të vitit 1934, në orën 4 të mëngjesit, avioni tremotorësh me fyhrerin në bord u ul në Mynih, në aerodromin “Obervizenfeld”, ku sot ndodhet stadiumi olimpik. Kur avioni “JU – 52” u ul, binte shi, por era i shpërndau retë dhe koha filloi të përmirësohet. “Kjo është dita më e vështirë dhe më e keqe në jetën time, - i tha Hitleri, duke dalë nga aeroplani, gaulajterit Vagner, që i kishte dalë përpara. – Por të më besoni, unë do t’ia hap rrugën drejtësisë!” Dhe menjëherë u nis drejt Ministrisë së Punëve të Brendshme të Bavarisë. Kur Hitleri po ngjiste me të shpejtë shkallët, cepat e palltos së tij prej lëkure lëkundeshin në ajër. Në dhomën e pritjes ai u ndesh me bashkëluftëtarin e tij të vjetër, August Shnejd-Huberin. Kreu i uniformave kafe të Bavarisë u përpoq ta përshëndeste fyhrerin, duke marrë pozicion gatitu. Por Hitleri ia shqeu spaletat veteranit të përleshjeve nëpër mitingje, duke i bërtitur fort: “Jeni i arrestuar dhe do të pushkatoheni!”. Ai vendosi që menjëherë të shkojë në liqenin Tegern, që personalisht “t’i detyronte tradhtarët të dilnin nga foletë e tyre”. Fyhreri në heshtje u ul në sediljen e parë, pranë shoferit të tij Kempke. Krerët e lartë të SA-ve e sidomos Rëmi, dihej se kishin truprojën personale të armatosur, por Hitlerin e kishte pushtuar pasioni i egër. Me sa dukej, me një goditje të befasishme, ai dëshironte të rifitonte kohën e humbur për shkak të mëdyshjeve të veta. Pas një orë udhëtimi ata u futën në qytezë dhe Kempka mori kthesën drejt pensionit “Hanzlbauer”. Makina frenoi pranë pensionit. Ishte ora 7 e mëngjesit. Komplotistët akoma nuk ishin ngritur nga krevatet dhe po flinin me dritare të hapura. Dera nuk ishte kyçur. Hitleri u fut në banesë. Asgjë nuk shihej dhe asnjë zhurmë nuk dëgjohej. Në sallën e ngrënies kamarierët po shtronin tavolinat për ngrënien e mëngjesit, të cilin nuk do ta hante asnjëri nga pjesëmarrësit e mbledhjes.

Nga zhurma e hapave u shfaq pronarja e pensionit. Ajo e njohu Hitlerin dhe e hutuar nga befasia, filloi t’i bëlbëzojë se për të ishte një nder i madh ta shihte në shtëpinë e vet. Hitleri e ndërpreu me brutalitet dhe e urdhëroi t'i tregonte dhomën e Rëmit. Pas tij vinin dy bashkëpunëtorë të sektorit të krimeve dhe shoferi Kempka. Hitleri shpërtheu derën e dhomës së Rëmit dhe, duke ulëritur, iu drejtua shefit të shtabit të vet: “Rëm, je i arrestuar!” Masakra e përgjakshme e asaj dite filloi si një parodi. Pa u besuar syve të veta, Rëmi vetëm se kapsalliste sytë. Ai ishte shokuar nga kjo e papritur. “Hajl, fyhreri im!” – i përgjigjet ai i frikësuar. “Je i arrestuar!” – ulërin përsëri Hitleri. Indinjata e tij fashitet. Tashmë vazhdon të bërtasë më tepër si në ethe sesa me histerizëm, duke e urdhëruar mikun e vet të kahershëm, i cili i drejtohej me “ti”, që të vishej dhe ta ndiqte. Ndërkohë shoqëruesit e Hitlerit u sulën edhe në dhomat e tjera dhe viktimave të zëna në befasi u deklaruan se ishin të arrestuar. Të tërë fyhrerët e uniformave kafe i rrasën në një bodrum, gjersa me një makinë të blinduar i nisën drejt burgut Shtadelhajm të Mynihut.

Raprezalja
Tashmë, në orën 14, Gebbelsi, ky “djall i revolucionit nacional-socialist” (kështu e pagëzoi atë Hans Bernd Gizeviusi, dëshmitar okular dhe autor i librit “Gjer në përfundimin e hidhur”) transmetoi nëpërmjet telefonit në Berlin sinjalin e koduar “Kolibri”. Pasi e morën atë sinjal, Geringu, Himmleri dhe Hejndrihu, pas një pritjeje të gjatë e të padurueshme, u sulën tamam si qentë gjaksorë të lëshuar nga kafazët e kafshëve të egra. Akoma në Mynih nuk ishte dëgjuar asnjë krismë, kur në Berlin grupe-grupe i zinin “puçistët” e Rëmit, i dërgonin në Lihterfeld dhe pa gjyq e hetim, njërin pas tjetrit i mbështesnin në mur. Të flakur në pyllin e prerë, ata liheshin midis pellgjeve të gjakut. Ja edhe një kufomë… edhe një tjetër… Kamionat që transportonin kufomat drejt krematoriumit, takoheshin me automjetet, që sillnin të tjerë, të cilët i priste pushkatimi. Banorët e shtëpive fqinje dëgjonin dënesat, krismat, urdhrat dhe, të pafuqishëm për të duruar të gjitha këto, të tmerruar braktisnin shtëpitë e tyre. Bataret vdekjeprurëse kundër SA-ve shërbyen si ninullë për njësitë e vdekjes SS, të cilat brenda pak kohësh u bënë organizmi më i fuqishëm në Rajhun III. Në numrin e viktimave të para të së shtunës së përgjakshme bënte pjesë edhe ish -rejhskancelari, i fundit para Hitlerit, gjenerali fon Shlejher. (...)Viktimë e dytë u bë gjeneral-majori fon Bredov, njeriu i besuar i Shlejherit. Ai u qëllua tek dera e shtëpisë së tij nga të njohur “të paditur”. Orgjia e urrejtjes dhe e makthit, etja për hakmarrje dhe gjak vazhdonte. Në kabinetin e vet, në Ministrinë e Transportit u vra drejtuesi i “Aksionit katolik” për Berlinin. Sekretares së tij (ajo i kishte lejuar të hynin të dy vrasësit), i deklaruan: “Shefi juaj sapo i dha fund jetës me vetëvrasje”. Gregori Shtraserin, nismëtarin hitlerian, e kapën taman duke ngrënë drekë dhe e tërhoqën zvarrë gjer në dhomën nr. 17 të ndërtesës, në rrugën “Princ Albrehtshtrasse”.

Vrasësi i panjohur prej tij përmes vrimës së vëzhgimit në derë qëlloi dhe e palosi të arrestuarin, i cili më kot përpiqej të fshihej në qelinë bosh të burgut. Rreth orës 18, në qelinë nr. 474 të Shtadelhajmit, futen gardiani dhe dy esesë me gradë të lartë. Ajri në qeli të merrte frymën. I arrestuari, me këmishën e lagur nga djersa dhe me jakë të hapur, po rrinte ulur mbi krevatin metalik. Ata i dorëzojnë atij numrin e fundit të gazetës “Fëlkisher beobahter”. Në kolonën e parë ishte “titulli” me gërma të mëdha: “Rebelimi i SA-ve u shtyp”. Pastaj i japin një pistoletë vetëm me një plumb.Të dy esesët e lënë Rëmin vetëm dhe presin afër qelisë krismën vdekjeprurëse… Asnjë zhurmë nuk u dëgjua… Pas njëzet minutash ata urdhërojnë gardianin t’ia merrte pistoletën të arrestuarit. Dhe vetëm atëherë, për së dyti ata hyjnë në qeli. - Shef i shtabit, përgatituni! – e urdhëruan atë. Rëmi shqyen me furi këmishën dhe u tregon gjoksin. Dy plumba e rrëzojnë përdhe. Vala e vrasjeve vazhdon të rritet gjer në agimin e 2 korrikut. Rreth orës 4 të mëngjesit esesët tërheqin zvarrë nga qelia e ndërtesës “Kollumbiahauz” të Berlinit, të shndërruar nga uniformat kafe vetëm për tortura, gruppenfyhrerin (gjeneralin) e SA-ve, Karl Shrejerin, për ta nisur të fundit drejt Lihterfeldit. Ministria e Propagandës udhëzoi gazetat që të mos botonin asnjë njoftim të veçantë mbi vdekjet dhe as nekrologji. Hitleri porositi zëvendësin e vet në parti që personalisht të kujdesej për të afërmit e atyreve, që u eliminuan natën e Bartolomeut. Rudolf Hesi u mor me dërgimin e letrave ngushëlluese, duke u ofruar edhe të holla për gjakun e derdhur. Në mbledhjen e kabinetit të së hënës, Hitleri propozoi projektligjin e mëposhtëm: “Masat e marra më 30 qershor, më 1 dhe 2 korrik të vitit 1934 kundër veprimeve të papritura tradhtare, armiqësore dhe antishtetërore, të konsiderohen masa ligjore për mbrojtjen e shtetit”. Asnjë prokuror nuk ngriti akuza. Asnjë organ policie nuk bëri kërkime për të zhdukurit pa lënë gjurmë. Asnjë hetues nuk i hyri hetimeve. Asnjë jurist nuk i diskutoi të drejtat themelore të amnistisë për vrasësit dhe asnjë prift nga katedra apo amvona nuk protestoi në predikimin e vet kundër masakrës së përgjakshme.... Që nga ky moment gjeneralët gjermanë u ndodhën në udhëkryq. “Shumica prej tyre u përpoqën të ishin vetëm ushtarakë, - thekson autori fancez, Rajmon Kartje. – Disa ishin besnikë të Hitlerit, por shumica e gjeneralëve ishin kundërshtarë të fyhrerit. Ata nuk e donin Hitlerin, por edhe ai i urrente ata. Dhe megjithatë: faktin që gjer në fund të luftës mëse 50 gjeneralë-feldmarshallë, gjeneralë dhe admiralë do të pushkatoheshin, do të vareshin, do të mbyteshin, do të mbërtheheshin si copa mishi në çengelat e kasapit, apo do të detyroheshin nga fyhreri të përfundonin në vetëvrasje, në atë kohë askush nuk e merrte dot me mend”.

Perparimi
Admin

Numri i postimeve : 17280
Registration date : 30/04/2006

https://diskutime-shqiptare.albanianforum.net

Revenir en haut Aller en bas

Revenir en haut

- Sujets similaires

 :: sport

 
Permission de ce forum:
Vous ne pouvez pas répondre aux sujets dans ce forum