Pse po i mbështet kriminelët Lëvizja Vetëvendosje?
:: shoqeria
Page 1 sur 1
Pse po i mbështet kriminelët Lëvizja Vetëvendosje?
http://thefrontliner.me/2014/08/05/pse-po-i-mbeshtet-kriminelet-levizja-vetevendosje/
Pse po i mbështet kriminelët Lëvizja Vetëvendosje?
BY THE FRONTLINER ON AUGUST 5, 2014 • ( LEAVE A COMMENT )
»Vetëvendosja duhet ta ketë të qartë se bëhet fjalë për krime që janë kry gjatë luftës, kur këta individë ishin pjesëtarë të UÇK-së, madje në hierarki të lartë, dhe për krime që u kryen menjëherë pas luftës, kur po ashtu këta persona ishin anëtarë të UÇK-së. Duke pasë parasysh gjithë këto që u pohuan më lart, vështirë të besohet se po erdhi në pushtet Vetëvendosja mund të na sjellë drejtësi sepse, po të ishte kështu, nuk do t’i mbështeste kriminelët«
Nga Shkëlzen Gashi — Prishtinë, E Marte, 5 Gusht, 2014
Prokurori Special i Task Forcës së BE-së, Clint Williamson, në një konferencë shtypi në Bruksel e paraqiti raportin e hetimeve të bazuara në Raportin e Raportuesit të Këshillit të Europës, Dick Marty-t, lidhur me krimet e kryera nga struktura të UÇK-së gjatë dhe pas luftës në Kosovë më 1998-1999. Ndër reagimet që u ngjallën tërheq vëmendjen sidomos ai i Lëvizjes Vetëvendosje. Reagimi i tyre përmbante nëntë vërejtje kryesore.
Vërejtja e parë, se bëhet fjalë për një situatë të paprecedent në drejtësinë ndërkombëtare, ku themelimi dhe funksionimi i zyrës së prokurorit special bëhen pa pasë një gjykatë ku do të adresoheshin paditë eventuale, është parimisht me vend dhe këtë e përmend edhe vetë prokurori Williamson në raportin e vet. Mirëpo, faji për këtë, në radhë të parë, mbetet tek ne, shoqëria kosovare, që për gjithë këta vjet, sidomos pas shpalljes së Deklaratës së ‘Pavarësisë’, nuk arritëm ta krijonim – siç bënë Kroacia, Bosnjë e Hercegovina dhe Sërbia – një gjykatë speciale që do të merrej me krimet e kryera nga pjesëtarë të UÇK-së.
Vërejtja e dytë ishte se nuk specifikohet konkretisht koha dhe në mënyrë ekskluzive territori ku janë kry krimet. Në raportin e prokurorit Williamson thuhet se elementë të UÇK-së kanë kry krime kundër sërbëve, romëve dhe pakicave të tjera në Kosovë, si dhe kundër shqiptarëve të Kosovës të etiketuar si kolaboracionistë të Sërbisë dhe kundër kundërshtarëve politikë të udhëheqësisë së UÇK-së. Si periudhë e këtyre krimeve përmenden vitet 1998 dhe 1999. Theksi vihet sidomos te krimet e kryera pas përfundimit të luftës në Kosovë në qershor të vitit 1999, ndërsa si vendndodhje e krimeve thuhet se janë kampet në territorin e Kosovës dhe të Shqipërisë. Pra, është e qartë nga raporti i prokurorit Williamson se mandati i TFHS-së është jo vetëm për krimet e pasluftës, por edhe për ato gjatë luftës. Informata më të hollësishme për kohën dhe vendin e saktë të këtyre krimeve do të marrim vesh kur të ngrihen aktakuzat, pra pas themelimit të Gjykatës Speciale. Më tej, Vetëvendosje thotë se për prokurorin Williamson është e rëndësishme të përmenden vetëm etnitë që kanë pësuar. Në fakt, entitë kanë qenë të rëndësishme për individët e UÇK-së, madje për individët me pozita të larta në hierarkinë e UÇK-së, sepse shumica dërrmuese e të vrarëve nga këta individë e kanë pësuar pikërisht për shkak të përkatësisë etnike.
Vërejtja e tretë lidhur me bazën ligjore mbi të cilën janë kry këto hetime dhe se mund të përjashtohet gjykata speciale nga kontrolli kushtetues i Kosovës, duket vërejtje me vend.
Vërejtja e katërt thotë se përderisa nënvizohet që hetimi dhe akuzat nuk janë drejtuar ndaj UÇK-së, por ndaj individëve, atëherë pse duhet theksuar vazhdimisht që ata ishin pjesëtarë të UÇK-së, duke sugjeruar që të quhen “individë të dyshimtë”. Sipas Vetëvendosjes ata individë mund të kenë qenë edhe anëtarë të shumë subjekteve e organizatave e klubeve të ndryshme, por gjithsesi qëllimisht potencohet (vetëm) UÇK-ja si përkatësi e tyre. Vetëvendosja duhet ta ketë të qartë se bëhet fjalë për krime që janë kry gjatë luftës, kur këta individë ishin pjesëtarë të UÇK-së, madje në hierarki të lartë, dhe për krime që u kryen menjëherë pas luftës, kur po ashtu këta persona ishin anëtarë të UÇK-së. Të mos harrojmë, UÇK-ja është demilitarizuar vetëm në shtator të vitit 1999. Është e vërtetë që ndonjëri prej këtyre individëve mund të ketë qenë edhe anëtar, le të themi, i Shoqërisë Kulturore-Artistike “Hajdar Dushi”, por këtu bëhet fjalë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, prandaj potencohet anëtarësia e tyre në organizatë ushtarake, në këtë rast në UÇK, meqë, sipas të gjitha gjasave, këta individë e kanë përodorë armatimin, infrastrukturën dhe financat e UÇK-së për t’i kry krimet e tmerrshme që përmendën në raportin në fjalë.
Te vërejtja e pestë, mes tjerash, thuhet se për të ashtuquajturin trafikim të organeve edhe arsyetohet Dick Marty, edhe pranohet se nuk ka dëshmi(theksimet të miat) pas gati tre vjet hetimesh të përsëritura. Përshtypja ime është se me këtë pikë edhe Vetëvendosja po krijon huti në opinion sa i përket qëndrimeve të prokurorit Williamson lidhur me trafikimin e organeve. Raporti i prokurorit Williamson thotë se për të ndjekë veprat penale të trafikimit të organeve njerëzore “…duhet një nivel i provave që ende nuk e kemi siguruar për shkak se kemi hasë në sfida të theksuara në marrjen e provave të tilla”, por, sipas raportit “…kjo nuk do të thotë që këto prova nuk do të materializohen, dhe sigurisht ne do të vazhdojmë t’i kërkojmë ato”. Tutje, vazhdon raporti i prokurorit Williamson, “…në asnjë mënyrë nuk kemi hedhë poshtë vërtetësinë e këtyre pretendimeve, megjithëse ende nuk ndihemi që ka bazë mjaft të fortë të provave për të ngritë aktakuza”, por më tej shtohet se “…ka shenja bindëse që kjo praktikë ka ndodhë në një shkallë shumë të kufizuar dhe që një numër i vogël i njerëzve janë vra për nxjerrjen dhe trafikimin e organeve të tyre” (të gjitha theksimet janë të miat).
Vërejtja e gjashtë thotë se prokurori Williamson bën konstatimin më të rëndë perëndimor për Kosovën përderisa flet për spastrim etnik të pjesës më të madhe të serbëve dhe romëve në jug të lumit Ibër, si rezultat i persekutimit të pakicave nga ana e UÇK-së. Sipas të dhënave të UNMIK-ut, pas luftës në Kosovë janë vra rreth 1 mijë sërbë dhe prej rreth 200 mijë sërbëve sa kanë jetuar në Kosovë deri në qershor të vitit 1999, nga Kosova janë larguar gati gjysma e tyre, pra rreth 100 mijë sërbë. Ndër fajtorët kryesorë për vrasjet dhe largimet e tyre janë individë të UÇK-së, madje individë me pozita të larta, që menjëherë pas luftës kanë krijuar një atmosferë në Kosovë në të cilën nuk ka vend për ata që nuk janë shqiptarë, e madje as për shqiptarët që nuk janë me UÇK-në. Për shembull, si ta quajmë ndryshe përpos spastrim etnik dëbimin e romëve nga të gjitha lagjet e Prishtinës dhe plaçkitjen, djegien e shkatërrimin e pothuajse të gjitha shtëpive të tyre?
Vërejtja e shtatë thotë se kjo deklaratë aspiron njëfarë balance të kriminelëve sipas palëve dhe angazhohet të krijojë përshtypjen e gabuar që Tribunali i Hagës gjykonte serbët për luftën, ndërkaq tash Gjykata e Veçantë do t’i gjykojë shqiptarët për pasluftën. Tribunali i Hagës ka gjykuar shumë prej liderëve politikë e ushtarakë të Sërbisë dhe një pjesë të tyre edhe i ka dënuar, kurse shumësinë e kriminelëve sërbë që kanë kryer krime në të gjitha hapësirat e ish-Jugosllavisë duhet ta gjykojë e dënojë gjykata speciale për krime lufte në Sërbi dhe për këtë duhet të angazhohemi edhe ne. Kriminelët nga ana jonë është dashtë t’i dënonim ne vetë, por, shumë punë që nuk bëjmë vetë, i bëjnë të tjerët, natyrisht, duke i pasë për bazë interesat e veta.
Vërejtja e tetë se Williamson është përpjekë që të gjithë kritikuesit t’i diskreditojë ose t’i bëjë të dyshimtë sepse në përmbyllje të raportit thuhet që “disa, për ta mbrojtë vetveten, janë përpjekë ta portretizojnë këtë hetim si një sulm mbi betejën e Kosovës për liri ose mbi UÇK-në si organizatë” është, thënë më së buti, e pakuptimtë. Williamson dhe stafi e tij po japin kontribut meritor për pastrimin e UÇK-së dhe të Kosovës nga kriminelët, të cilët, për fat të keq, Vetëvendosja po i mbron. Fakti se zyrtarë të lartë të UÇK-së kanë kryer krime lufte e krime kundër njerëzimit nuk i bën të gjithë pjesëtarët e UÇK-së kriminelë, sikur që fakti se udhëheqësit politikë të Kosovës janë të korruptuar nuk e bën popullin e Kosovës të korruptuar.
Vërejtja e nëntë: Williamson e ndjen që ka marrë anë në këtë hetim andaj detyrohet të rrëfejë qysh ka mbikëqyrë hetimet e Tribunalit të Hagës për krimet e forcave serbe në Kosovë gjatë viteve 1998-1999, duke u bërë bashkautor i aktakuzës fillestare ndaj Slobodan Milosheviqit. Në të vërtetë, Williamson nuk e rrëfen këtë pse e ndjen që ka marrë anë, por sepse e ka parë se si e kemi fyer e poshtëruar Dick Marty-n pas publikimit të raportit të tij në fillim të vitit 2011.
Po ashtu, Vetëvendosja thotë se hetuesit e prokurorët ndërkombëtarë parapëlqejnë ta godasin udhëheqësinë politike në Kosovë për krime të luftës (pra, disi për atë çfarë i bënë Serbisë gjatë një viti) dhe jo për krimet e korrupsionit (pra, për atë çfarë iu bënë qytetarëve të Kosovës tash e 15 vjet). Do të thotë, Vetëvendosja po thotë disi që këta individë të UÇK-së e kanë dëmtuar Sërbinë duke vra qytetarë sërbë, romë, e të pakicave tjera, ‘kolaboracionistë’ e kundërshtarë politikë, dhe, për më keq, këto viktima ajo sikur nuk po i konsideron qytetarë të Kosovës.
Duke pasë parasysh gjithë këto që u pohuan më lart, vështirë të besohet se po erdhi në pushtet Vetëvendosja mund të na sjellë drejtësi sepse, po të ishte kështu, nuk do t’i mbështeste kriminelët, dhe do ta shqetësonte, mes tjerash, fakti që një numër i dëshmitarëve të mundshëm të identifikuar nga ana e TFHS-së nuk janë intervistuar sepse vendndodhjet e tyre aktuale nuk mund të zbulohen. Po ashtu, po të ishte kështu, Vetëvendosjen do ta brengosnin sfidat e panumërta që vijnë nga klima e frikësimit që përpiqet të minojë çdo hetim të individëve të lidhur me UÇK-në.
Shkelzen Gashi (Foto ©THE Frontliner)
Shkëlzen Gashi është lindë në Prishtinë më 4 gusht 1981. Ka mbaruar studimet për Shkenca Politike në Universitetin e Prishtinës. Gjatë kohës së studimeve botoi një përmbledhje intervistash që i kishte realizuar me shumë pjesëmarrës të Kosovës në Konferencën e Rambujesë, por edhe kritikë të tyre, të titulluar Marrëveshja për Paqe të Përkohshme. Po gjatë kohës së studimeve, ishte ndër themeluesit dhe aktivistët e Lëvizjes Tjetërqysh (Për një Universitet Tjetërqysh). Në të përfunduar të studimeve, punoi për disa muaj në KMDLNJ, ku e hartoi një raport hulumtues mbi pozitën e sërbëve në Kosovë, të titulluar Gjendja e minoritetit sërb në Kosovë. Fill pas përfundimit të studimeve, përkthen nga gjuha angleze, për herë të parë, Mendimet e Komisionit Badinter për ish-Jugosllavinë. Në qershor të vitit 2005 angazhohet për themelimin e Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Në fund të vitit 2006 boton një përmbledhje intervistash që I kishte realizuar me shumë politikanë të Kosovës, pjesëmarrës në negociatat Kosovë-Serbi për statusin politik të Kosovës, por edhe kritikë të tyre, të titulluar Statusi pa pardon. Në vitet 2006/2007 ndjek studimet për Master në Universitetin e Sarajevës dhe atë të Bolonjës, kurse më 2007/2008 punon për një vit në projektin Kosovo Memory Book të organizatës Humanitarian Laë Centre. Ka përgatitë për botim Një shkurtim kujtimesh për kryengritjen shqyptare të vjetit 1912 të autorit Hasan Prishtina, si dhe librin me intervista për sfidat e standardit gjuhësor të titulluar Gjuha e këputun e shqipes. Boton rregullisht shkrime politike dhe recensione librash në ditoret shqipe.
:: shoqeria
Page 1 sur 1
Permission de ce forum:
Vous ne pouvez pas répondre aux sujets dans ce forum