Vous souhaitez réagir à ce message ? Créez un compte en quelques clics ou connectez-vous pour continuer.

Sheredin Berishes nje leter nga Dugagjin Gorani

 :: sport

Aller en bas

Sheredin Berishes nje leter nga Dugagjin Gorani Empty Sheredin Berishes nje leter nga Dugagjin Gorani

Message  Perparimi Dim 16 Juin - 10:06

13:31 / 25 Maj 2013 / Kategoria: Kosovë
Gorani: Brengosem për ardhmërinë, se ku do të rriten bijtë e mi



Sheredin Berishes nje leter nga Dugagjin Gorani Dukagjin-Gorani1

Dukagjin Gorani





Ish këshilltari i kryeministrit Hashim Thaçi, Dukagjin Gorani, i cili dje dha dorëheqje nga posti i tij, në një letër dërguar mikut të tij, Sheradin Berisha, kryeredaktor i pashtriku.org, disa javë para se të merrte vendimin për t’u larguar nga grupi i kreut të qeverisë, shprehë indinjatën e tij për ngecjet në vend. Ai thotë se diçka mbeti vazhdimisht e njëjtë: Shëndetësia e dobët, arsimi i rrënuar, shpërdorimi i pasurisë dhe i të mirës publike mbetën të pandryshuara gjatë gjithë këtyre dekadave. Gorani në këtë letër, e cila vjen pas një letre tjetër që ia kishte dërguar vite më parë, duke folur kalimin e Kosovës nëpër sisteme të ndryshme, thotë se atëbotë, babai i tij, brengosej së tepërmi për ardhmërinë e shoqërisë ku do të rritej i biri i tij, e ndërsa Gorani sot, brengoset së tepërmi për ardhmërinë e shoqërisë ku do të rriten bijtë e tij.




Më poshtë lexoni të plotë letrën që Dukagjin Gorani i dërgon Sheradin Berishës:




- DR.DUKAGJIN GORANI -




I nderuar Sheradin




Sërish më duhet të të dërgoj letër, pas gati shtatë vjetësh. Këtë herë, pa dëshirën time dhe tepër i indinjuar. Janë dy arsye për këtë.




- Letra të cilën ta kisha shkruar më 19.11.2006 ishte menduar si një qasje intime ndaj një fenomeni të rëndomtë shoqëror e historik. Ajo ishte e shkruar enkas për ty dhe nënkuptonte konfidencë të plotë. Kësisoj, botimi i saj shtatë vjet më vonë është thyerje e rëndë e etikës profesionale dhe njerëzore. Është po ashtu edhe mospërfillje e një miqësie së paku, të supozuar, ideologjike mes ne të dy.




- E dyta: nuk jam pjesë e ‘përgatitjeve të brendshme për negociatat teknike e politike me Serbinë’, siç më cilëson. Nuk jam as sot e as që isha ndonjëherë. Roli im si këshilltar i kryeministrit nuk përfshinë negociatat aktuale, e as politikën e lartë ndër-shtetërore.




Ka së paku dy vjet ç’prejse angazhimet e mia në kabinet janë zvogëluar në nivel krejtësisht formal dhe pa ndonjë rëndësi publike. Arsyet për këtë janë private dhe nuk do t’i diskutoj këtu. Megjithatë, kjo nuk të shpëton ty nga përgjegjësia morale e publike – meqë më cilësove si një zyrtar të përfshirë në një proces për të cilin beson se është anti-kombëtar. Duke mos e komentuar këtu procesin e dialogut me Serbinë, më duhet të të them se e deklarove një të pavërtetë dhe, rrugës, ma bëre një ofendim të rëndë.




E tash, më lejo të të them edhe diçka dhe pakëz më gjatë. Me publikimin që ia bëre letrës sime vetëm sa e konfirmove në mënyrë të pikëllueshme një traditë të shpeshtë kosovare, për të cilën të shkruajta në vitin 2006.




Kam frikë se më duhet të të them se më tradhëtove mbase jo pse pate ndonjë nevojë por pse ndoshta mund ta kesh pjesë të natyrës (Nuk dua ta marr përsipër autorësinë e këtij formulimi. Ironikisht, kësisoj kishte deklaruar më 1966 ish-ministri i brendshëm i Jugosllavisë, Aleksandar Rankoviq, kur e kishin pyetur se çfarë mendonte për Josip Brozin – i cili sapo e kishte përjashtuar atë nga Partia Komuniste e Jugosllavisë në plenumin famëkeq të Brioneve në verën e vitit 1966. Citati është marrë nga e një e përditshme serbe (‘Danas’) e cila citonte artikullin e gazetarit të ‘The Neë York Times’ i cili atëbotë raportonte nga Jugosllavia.)




E, me këtë, e bëre pikërisht atë për të cilën të kisha shkruar shtatë vjet më herët dhe të cilën gjë e shoh duke u bërë sot, për çdo ditë: tradhëtimin e parimeve të dikurshme, të miqësive të vjetra, të idealeve të rinisë me gjithë shkeljet ditore të ligjeve e të Kushtetutës.




E kuptoj se nuk pajtohesh me politikën e qeverisë aktuale në Kosovë.




Sidomos, e shoh se ke vërejtje dhe akuza të rënda për mënyrën se si udhëheqen bisedimet në Bruksel, etj. Edhe unë nuk pajtohem me shumë gjëra dhe mënyra se si qeveriset Kosova. Mirëpo, kjo nuk më shtynë që publikisht të shpalosi biseda private, vetëm sa për ta argumentuar qëndrimin tim.




Mirëpo, me gjasë, hidhërimi yt me qeverisjen e sotme shkoi aq larg saqë t’u desh ta publikosh edhe një letër private. Andaj, këtu, marr guximin të besoj se qëllimi yt ka qenë që, përmes publikimit të saj, t’ia dëshmosh publikut tënd lexues mënyrën se si transformohen qëndrimet dhe parimet e një njeriu në këtë rast, të miat. Besoj se qëllimi yt ka qenë të më ‘demaskosh’, duke dëshmuar (përmes publikimit, pra) se ai i cili kishte akuzuar dikur tradhëtitë nga periudha jugosllave sot është vet pjesë e një procesi sipas teje tradhëtar.




Sheradin i nderuar.




Ajo që ta kam shkruar atëherë është po ajo që e besoj edhe sot. Nuk e kisha ndryshuar asnjë shkronjë nga letra që ta kam shkruar. Në anën tjetër, nuk jam pjesë e negociatave me Serbinë e as që kam çfarëdo ndikimi në mënyrën se si udhëheqen. Fakti që, formalisht, jam ende pjesë e kabinetit qeveritar nuk të jep të drejtë të më ndërlidhësh me një punë që nuk e bëj.




Mirëpo, në anën tjetër, me ty pajtohem në diçka tjetër. Shtatë vjet më vonë, pas letrës sime, më duhet të pranoj se nuk jetoj në një shoqëri më të drejtë, apo më pak tradhëtare se Kosova e Jugosllavisë edhe pse, këtë herë, në kontekst tjetërfare ideologjik.




S’do mend, gjatë Jugosllavisë, Kosova është udhëhequr me pafytyrësi e papërgjegjësi. Asokohe, pjesa dërrmuese e udhëheqjes politike dhe ekonomike ishin shqiptarë. Meqë, gjatë jetës, gjithnjë e kam akuzuar rëndë këtë udhëheqje të Kosovës gjatë Jugosllavisë, kam shpresuar po ashtu në krijimin e një vetëdije tjetërfare mbi përgjegjësinë shoqërore, pas çlirimit të saj. Me apo pa ndonjë sukses, edhe vet jam përpjekur që gjatë jetës të angazhohem për të ndihmuar që Kosova të lirë dhe të ndershme.




Megjithatë, sot, 13 vjet pas çlirimit, e zë veten duke besuar se fajin kapital për mosfunksionimin e shoqërisë sonë nuk e paska pasur as Lidhja e Komunistëve, as Lidhja Demokratike e as Partia Demokratike e Kosovës.




Fajet, kam frikë, fshehen në një traditë tonë të përbashkët e të kahmotshme: në dëshirën për t’i shërbyer regjimit në pushtet. Pikërisht për këtë ironizonte edhe letra ime nga viti 2006: qëllim imi asokohe ishte që të të sugjeroj të mos i japësh ‘zor’ të madh në zbardhjen e dosjeve, meqë ato nuk do t’i interesonin askujt. Një shoqëri e cila kishte jetuar dhe punuar në Jugosllavi për gjysëm shekulli nuk do të kishte dëshirë që të përkujtohet për atë veçanërisht nëse ajo periudhë sot vështrohet me sy qortues.




Dhe më duket se ia kam qëlluar me këtë sugjerim, Sheradin.




Pavarësisht asaj që mendon, asnjë ‘zbardhje’ e dosjeve tua nuk ka pasur ndonjë rëndësi publike në Kosovë. Së paku, jo deri sot. Nuk kam parë të ketë filluar ndonjë lustracion i madh institucional e ligjor në vend. Nuk kam parë se është nisur ndonjë lëvizje qytetare, akademike apo politike për ta ‘zbardhur’ të vërtetën e jetës sonë të përbashkët në Jugosllavi. Madje, kohë më herët, edhe mocioni parlamentar për t’i dënuar krimet e kryera gjatë periudhës së Jugosllavisë komuniste u bllokua nga vet deputetët e Republikës së Kosovës së lirë e të pavarur. Askush nuk ka dëshirë ta rikujtojë të vërtetën.




Përkundrazi. Ajo që kam parë deri tash veç traditës së zhvatjes dhe papërgjegjësisë publike është pikërisht justifikimi dhe apologjia që i është bërë periudhës 1945-1999 në Kosovë. Sot, në trumpetimet tona historike të gjithë theksojnë periudhën e lavdishme të luftës kundër Osmanëve, kundër mbretërisë serbe, kundër partizanëve dhe kundër Serbisë së Milosheviqit. Mirëpo, askund nuk gjen shkrime për mënyrën se si kishim jetuar në Jugosllavinë e Titos; se si ishim shkolluar, kujt i kishim kënduar çfarë kishim shkruar, çfarë kishim folur e çfarë kishim bërë.




Dhe, nëse është për t’i besuar fjalamanisë së sotme ideologjike, del se i gjithë populli shqiptar në Kosovë kishte zhvilluar një luftë të pandërprerë kundër regjimit serbo-jugosllav prej vitit 1945 e deri më 1999. Nëse përcjellen dhe lexohen mediat e sotme në Kosovë, del se




- Universiteti i Prishtinës,




- gazeta Rilindja,




- Zëri i Rinisë,




- Radio Televizioni i Prishtinës,




- Akademia e Shkencave dhe Arteve,




- gazetarët,




- prokurorët,




- profesorët,




- gjykatësit,




- funksionarët politikë që të gjithë paskëshin qenë përkrahës të zjarrtë të çlirimit të Kosovës dhe bashkimit me Shqipërinë!




Asokohe, nuk kishe kah të lëvizje nga flamujt e Jugosllavisë nëpër sheshet tona. Sot, nuk ke kah të lëvizë nga flamujt kombëtarë, shtetërorë dhe heronjtë legjendarë. Asokohe trumpetohej se Kosova kishte luftuar qindra vjet për ‘vëllezërim-bashkim’. Sot trumpetohet se Kosova paska luftuar mijëra vjet për liri dhe bashkim kombëtar.




Cila është e vërteta këtu?




Ka kohë që nuk e di, Sheradin.




Ka kohë që nuk merrem më me ‘të vërtetën’. Nuk jam njeri i cili i beson së tepërmi librave të historisë mirëpo tash e sa vjet kam filluar të dyshoj edhe në vërtetësinë e gjërave që i kam parë me sytë e mi.




Prandaj:




- Më vjen vështirë të besoj se si policët shqiptarë na rrahnin pikërisht 32 vjet më herët, më 11 mars, 1 dhe 2 prill 1981 kur, si i mitur, merrja pjesë në demonstratat e studentëve. Përveç policëve, me sy të mi shihja mësues, qytetarë e zyrtarë shqiptarë duke ndjekur e përjashtuar nxënës shqiptarë prej shkollave për shkak të ‘pjesëmarrjes në demonstrata’.




- Më vjen vështirë të besoj se edhe ato pak media të atëhershme (RTP, Rilindja, etj.) sot lavdërohen si institucione që e kishin ruajtur ‘identitetin kombëtar’ kur me sy të mi i mbaj mend gjithë ato komente, dënime, intervista e denoncime kundër ‘nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar’ që çdo ditë botoheshin e emetoheshin në po këto media.




- Më vjen vështirë ta shoh sot Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës derisa sulmon historianin zviceran Oliver Schmitt për ‘qasje anti-shqiptare kur me sy të mi e shihja po këtë akademi (madje, me disa anëtarë të njëjtë) duke organizuar simpoziume për jetën dhe veprën e ‘babait’ të Jugosllavisë, Josip Brozit.




Por, do të isha i pandershëm po që se nuk do të pranoja se sot më vjen edhe më vështirë kur me sytë e mi sërish shoh:




- Se si ish-funksionarët e regjimit jugosllav në Kosovë varrosen me nderimet më të larta të cilat i bëhen nga pasuesit e tyre ‘atdhetarë’ të dalë nga lufta (e fundit) çlirimtare dhe heroike.




- Se si, po kjo kastë e sotme ‘çlirimtarësh’ sillet në mënyra të ngjashme në mos, të njëjta me ish-funksionarët e dikurshëm të Lidhjes së Komunistëve: me papërgjegjësi dhe pafytyrësi të skajshme ndaj pasurisë publike.




- Se si historia e re revidohet dhe redaktohet sipas dëshirës së regjimit që e fiton pushtetin dhe e formon qeverinë qoftë ajo LDK, AAK, PDK apo kushdo tjetër.




- Se si një plejadë e ‘heronjëve të rinj’ e zëvendëson plejadën e ‘heronjëve të vjetër’, duke mos e zëvendësuar edhe vetëdijen ndaj kombit apo qasjen ndaj shoqërisë.




- Se si heshten armiqësitë e vjetra, krijohen miqësitë e reja, shkelen parimet fundamentale, zhvaten pasuritë e bukuritë natyrore dhe e gjithë kjo arsyetohet nën nocionin se ‘kështu e ka politika, Dukagjin’.




- Se si Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte pasur 51,000 luftëtarë të cilët e kishin çliruar vendin kur me sytë e mi e mbaj mend ditën kur tanket e NATO-s zbrisnin poshtë Veterrnikut të Prishtinës për t’i dhënë fund vrasjeve dhe shkatërrimeve




- Se si djemtë e ‘çlirimtarëve’ të sotëm voziten me vetura të shtrenjta; se si farefisi i funksionarëve të sotëm përbën elitën e monopolistëve ekonomikë dhe, se si nipat e ish-funksionarëve jugosllavë dalin në mbrojtje të vlerave demokratike, të flamurit kombëtar dhe bashkimit me Shqipërinë.




Të gjitha këto i kam parë dhe i shoh ende me sytë e mi. Porse, këto nuk i shoh as të botuara, as të emetuara e as të diskutuara publikisht.




Mbase, ajo që paskem parë me sytë e mi nuk paska qenë e vërtetë.




Dhe, pikërisht për faktin se tash e sa vjet kam filluar të dyshoj në vërtetësinë e asaj që e kam përjetuar dhe parë me sytë e mi, nuk kam pasur ndonjë dëshirë të madhe të dal e të flas publikisht për të gjitha këto.




Ku ta di? Thonë që njeriu sheh me mend, e jo me sy. Mbase, nuk i kam pasur mendtë me vete kur i kisha parë këto gjëra.




Mirëpo, në gjithë këtë muhabet, Sheradin i nderuar, ka vetëm një dallim prej letrës sime të parë dhe kësaj të dytës. Në kohën kur ta shkruajta letrën e parë nuk isha këshilltar politik. Sot, formalisht, jam pjesë e një administrate qeveritare në Kosovë. Dhe, meqë ka kohë që e kam kuptuar se as kjo administratë nuk ia doli ta ndryshojë traditën e skandaleve, zhvatjeve dhe papërgjegjësisë karshi të mirës publike, vendosa që puna më e ndershme që do të mund ta bëja në një situatë të këtillë është ta mbylli gojën. Meqë vullnetshëm u bëra pjesë e saj më 2008, sot nuk më takon të dal e të llomotis publikisht për çështjet madhore të ndërgjegjes shoqërore dhe idealeve kombëtare. Dhe, kësisoj veprova: ka së paku tri vjet ç’prejse nuk jam marrë as me shkrime, as me komentime e as me deklarime publike. Nëse nuk ke çfarë të thuash, mos thuaj asgjë. Unë, nuk kisha, dhe nuk kam, çfarë të them.




Këtë heshtje e pata ndërmend ta vazhdoj derisa të mos përfundonte kjo administratë e me të edhe angazhimi im politik si një zyrtar i saj. Mbase, mund të kem qenë personi i gabuar, në ekip të gabuar dhe në kohë të gabuar porse ishte ky vendim imi dhe atë do ta mbaj si përgjegjësi personale deri në fund.




Por, publikimi yt i letrës sime private më shtyri të flas.




Këtë po e bëj pa dëshirë dhe mbase, për dikë, pa të drejtë marrë parasysh funksionin tim formal zyrtar. Mirëpo, mendoj se bëre tepër keq që atë letër e përdore për qëllime tua ose që, së paku, nuk e botove kur ta dërgova, më 2006.




Kësisoj, sot më detyrove të dal publikisht, duke ta shkruar edhe një. Këtë herë, besoj se duhet ta ndiesh për obligim moral që ta botosh menjëherë e jo pas shtatë vitesh.




Krejt në fund, pra, Sheradin.




Sikurse ndoshta edhe ti, jam pjesëtar i një gjenerate e cila jetoi në katër shtete të ndryshme duke mos lëvizur nga shtëpia dhe qyteti ku është lindur dhe rritur. Shkollën fillore e kreva nën Jugosllavinë e Josip Brozit, gazetar u bëra nën Serbinë e Milosheviqit, në studime doktorale shkova gjatë administratës së UNMIK-ut, kurse këshilltar politik u bëra pas shpalljes së Kosovës shtet të pavarur, nën qeverinë e sotme. Ishin këto katër shtete, katër regjime, katër realitete dhe katër të vërteta në të cilat jetova dhe vazhdoj të jetoj. Secila nga këto ishte e ndryshme dhe e mohonte tjetrën.




Dhe, gjatë gjithë këtyre viteve, flamujt nëpër sheshet e Prishtinës ndërroheshin sikurse edhe emërtimi i rrugës së shtëpisë sime. Ndërronin slloganet, ideologjitë, besimet e premtimet. Ndryshonin pikëpamjet, parimet, qëndrimet dhe shpresat.




Mirëpo, diçka mbeti vazhdimisht e njëjtë. Shëndetësia e dobët, arsimi i rrënuar, shpërdorimi i pasurisë dhe i të mirës publike mbetën të pandryshuara gjatë gjithë këtyre dekadave. Atëbotë, babai im brengosej së tepërmi për ardhmërinë e shoqërisë ku do të rritej i biri i tij. Sot, unë brengosem së tepërmi për ardhmërinë e shoqërisë ku do të rriten bijtë e mi. Sot, barabarësisht mund ta akuzojmë edhe qeverisjen e Kosovës jugosllave, e edhe qeverisjen e Kosovës së pavarur. Me gjasë, e vërteta është ajo që, sikurse atëherë, ashtu edhe sot, ishim dhe jemi pjesë e të dyjave. Regjimet shkuan dhe erdhën mirëpo ne nuk ndryshuam.




Të fala,




Dukagjin Gorani




Prishtinë, 11. .03. 2013/reporteri




Perparimi
Admin

Numri i postimeve : 17280
Registration date : 30/04/2006

https://diskutime-shqiptare.albanianforum.net

Revenir en haut Aller en bas

Revenir en haut

- Sujets similaires

 :: sport

 
Permission de ce forum:
Vous ne pouvez pas répondre aux sujets dans ce forum